UBT News

BBC: Ushtari kosovar mohon akuzat për krime seksuale në Britani

Një ushtar nga Kosova, që po ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar, ka mohuar tre akuza për krime seksuale.

Bali Hoxha, 28 vjeç, nga Kampi West Tofts në Thetford të Norfolkut, po akuzohet për një rast përdhunimi dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje, raporton BBC.

Sipas autoriteteve britanike, incidenti i dyshuar ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 23:30, përgjatë një shtegu midis Rrugës Prince of Wales dhe Parkut Tregtar Riverside.

Hoxha, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Norwich, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjyqi i tij është caktuar të nisë më 7 prill të vitit të ardhshëm dhe pritet të zgjasë pesë ditë.

Avokati mbrojtës, Jonathan Goodman, njoftoi gjykatën se klienti i tij ka njohuri të mjaftueshme të anglishtes për procedurat paraprake, por do të kërkojë një përkthyes në gjuhën shqipe gjatë gjyqit dhe çdo seance tjetër ndërmjetëse. Po ashtu, tre dëshmitarë të tjerë do të kenë nevojë për përkthim.

Sipas informacioneve nga gjykata, dëshmitarët pritet të jenë të dërguar në Kosovë në kohën e procesit gjyqësor, por ushtria e Kosovës është zotuar se do t’i lirojë ata nga detyrat për të marrë pjesë në seancat në Britani.

Hoxha është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), por aktualisht i kontraktuar për të ndihmuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas në poligonin e ushtrisë britanike pranë Thetfordit, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Exit mobile version