UBT News

​Bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, prokuroria jep detajet

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar bastisjet e sotme në Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e ministrisë.

Në deklaratë thuhet se kjo është bërë me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publikë të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e ministrisë.

Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.

Zyrtarët publikë të Ministrisë së Bujqësisë dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe falsifikimi i dokumenteve, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë, një veturë me disa zyrtarë policorë, të cilët mbanin disa dokumente, janë parë sot duke dalë nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, ndërkohë që prokuroria nuk ka treguar se kush janë të dyshuarit.

Exit mobile version