Policia e Kosovës sot ka realizuar urdhëresën e gjykatës kompetente, ku janë kontrolluar tri lokacione në Klinë dhe një në Prishtinë.
Lidhur me rastin në polici janë shoqëruar tre persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.
Gjatë kontrollit të realizuar si dëshmi materiale janë sekuestruar një armë e gjatë snajper, dy karikatorë me 40 fishekë të armës, një pistoletë me një karikator dhe 8 fishekë, një pistoletë me dy karikatorë dhe 4 fishekë, një pistoletë me një karikator dhe 14 fishekë, një pistoletë me një karikator dhe 52 fishekë, një pushkë ajrore me 5 fishekë, 14 fishekë të pistoletës me gaz, një pushkë gjuetie, një automatik AK-47 me dy karikatorë, tre telefona mobile, një thikë, një shpatë e arteve marciale dhe një antiplumb, raporton KosovaPress.
Disa nga dëshmitë janë me leje dhe janë sekuestruar me qëllim të verifikimit dhe procedurave të mëtutjeshme.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rast për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, ndërsa njëri nga të dyshuarit pas intervistimit është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.