Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë bastisur pesë lokacione të ndryshme, katër prej tyre në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit, ku janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa edhe një tjetër është në kërkim.
Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive dhe arrestimit të të dyshuarve, për të cilët dyshohet se në periudhën 2020-2024 kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat kanë përfituar mjete materiale, të cilat më pas, me qëllim të futjes në sistemin financiar të Kosovës, kanë kryer veprime të shumta me të cilat dyshohet të kenë kryer veprën penale ‘shpëlarja e parasë’.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumentacione të ndryshme si kontrata, autorizime, certifikata të pronave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, një revole VIZOR 50 kalibri 7.65, një karikator me 7 fishekë, dy karikatorë të zbrazur të armës AK-47, 58 copë municion të kalibrave të ndryshëm, 9 copë municion 12/A të armës së gjuetisë, një veturë BMW ngjyrë e zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2022, pronë e të dyshuarit V.C., një veturë Volkswagen-VW Tiguan ngjyrë zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2017 pronë e të dyshuarit V.C., një telefon Huawei, tre Iphone, një laptop.
Me vendim të prokurorit është lëshuar urdhër ndalues i përkohshëm për 39 – banesa të ndryshme, shprehur në (m2) 3,929.52 metra katrorë, 30 – garazhe, dy lokale afariste, 17 parcela tokësore të lokalizuar në lokacione të ndryshme prej 29.903 metra katrorë, si dhe janë bllokuar pesë xhirollogari të personave të dyshuar ku janë ngrirë 179 mijë e 560 euro e 25 centë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës nga PSRK iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve./UBTnews/