UBT News

Bastisen shtëpi e lokale në Prishtinë e Podujevë, ndalohen katër persona

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj po zhvillojnë aksion në Prishtinë dhe Podujevë, ku po bastisen shtëpi e lokale nën dyshimin për fajde.

Në një komunikatë për media të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, bëhet e ditur se ky aksion vjen në bashkëpunim edhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësitë tjera mbështetëse, dhe se si rrjedhojë janë ndaluar katër persona.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësitë tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, është duke e realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Fajdeja’ nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘Shmangia nga tatimi’ nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së ,’Detyrimi’ nga neni 328 par.2 të KPRK-së dhe ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm’ nga neni 294 par 3 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër (4) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj do të ju informojë në vazhdimësi lidhur me këtë aksion”, thuhet në fund të njoftimit. 

Exit mobile version