UBT News

Bastisen disa OJQ që bashkëpunuan me USAID-in në Serbi

Pas akuzave nga drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) për keqpërdorimin e fondeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), prokuroria në Beograd raportohet se ka nisur hetime ndaj organizatave të caktuara joqeveritare.

Të martën e 25 shkurtit, Policia serbe, duke vepruar në bazë të urdhrave nga Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, ka bastisur zyrat e disa OJQ-ve për, siç është thënë, grumbullimin e provave për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të USAID-it, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Mësohet se me hetime po përballen OJQ-ja e quajtur Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), dhe shoqata Iniciativat Qytetare.

Policia nuk i është përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë në lidhje me aksionin.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë FBI-së në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

“Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.

OJQ-ja Iniciativat Qytetare njoftoi, përmjes një komunikate për media, se policia ka hyrë në zyrat e saj më 25 shkurt.

“Këtë mëngjes, rreth 20 zyrtarë policorë kanë bastisur zyrat e Iniciativave Qytetare, duke thënë se kanë urdhër nga prokuroruia për të hetuar punën e organizatës, por nuk kanë dashur ta tregojnë dokumentin”, u tha në komunikatë.

Kjo OJQ shtoi se policia ka bastisur edhe Qendrën për Politika Praktike, një organizatë që, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë projekt me USAID-in.

“Ky është sulm serioz ndaj të drejtave themelore qytetare dhe vazhdim i trysnisë së paligjshme ndaj shoqërisë civile në Serbi. Strukturat qeverisëse po përpiqen të zbatojnë mekanizma të frikësimit dhe ndjekjes, pa miratimin e Ligjit për Agjentët e Huaj”, u tha në komunikatën e OJQ-së Iniciativat Qytatare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kufizuar punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të saj, më 24 janar.

Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.

Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.

USAID-i u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.

Sipas shifrave të fundit, ai ka rreth 10.000 punonjës, dy e treta e të cilëve punon jashtë SHBA-së. Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë prej 43.79 miliardë dollarësh./REL/

Exit mobile version