Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar miliarderin Elon Musk se platforma “X”, po përdoret për të përhapur dezinformata lidhur me sulmin e Hamasit në Izrael.
Në një postim në platformë, shefi i industrisë së bllokut tha se “përmbajtja e dhunshme dhe terroriste” nuk është larguar, pavarësisht paralajmërimeve – siç kërkohet me ligjin e BE-së.
Musk tha se kompania e tij ka ndërmarrë masa, përfshirë edhe fshirjen e llogarive të sapokrijuara në lidhje me Hamasin. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian t’i listojë shkeljet e evidentuara.
Thierry Breton, Komisioneri për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, nuk dha detaje mbi dezinformat të cilave ai po u referohej në letrën e tij drejtuar Muskut. Megjithatë, ai tha se rastet e “imazheve dhe fakteve të rreme dhe të manipuluara” u raportuan në platformën e mediave sociale.
“Prandaj ju ftoj që urgjentisht të siguroheni që sistemet tuaja të jenë efektive dhe të raportoni te ekipi im për masat të cilat i keni marrë”, shkroi ai mes tjerash në letrën drejtuar Muskut.
Letra e tij iu drejtua Muskut disa ditë pasi grupi militant Hamas nisi sulmin ndaj Izraelit./UBTNews/