Asociacioni Ndërkombëtar i Studentëve për Paqe, i njohur ndryshe si IAYSP, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm gjatë dy viteve të fundit me programin e trajnimit ndërkombëtar “Peace Designer”, të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me UBT-në.
Ky inovacion bazohet në 17 Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDGs), duke ofruar një platformë për të rinjtë për të studiuar, analizuar dhe marrë pjesë në veprimtari qytetare për hartimin dhe zbatimin e projekteve që ndihmojnë në zhvillimin e tyre dhe të komunitetit.
Pas arritjeve dhe përfshirjes së të rinjve gjatë trajnimit të ofruar në vitin akademik 2022-2023, UBT dhe IAYSP kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje shërben si një platformë institucionale, shoqërore dhe rajonale për të rinjtë në Ballkan, duke u mundësuar pjesëmarrjen e tyre në trajnime dhe konkurse në nivel ballkanik. Grupet fituese që dalin nga kjo marrëveshje do të gëzojnë asistencën e nevojshme për zbatimin e projekteve të tyre.
Në këtë kontekst, grupet fituese nga viti i kaluar janë aktualisht në fazën e implementimit. Grupi i parë, përbëhet nga studentët e Fakultetit të Psikologjisë: Anila Shala, Anjeza Gashi, Elmedina Cimili, Liburn Krrabaj dhe Olti Gjonbalaj, kurse anëtarët e grupit të dytë të Gjimnazit UBT janë: Eda Palushi, Bind Ahmetaj, Gjin Gojani, Harisa Haziri dhe Muhamed Shala.
Të dy grupet janë në procesin e zbatimit të projekteve nën drejtimin e trajneres dhe drejtores ekzekutive të IAYSP Balkan, Ejona Icka, dhe menaxheres së projekteve Mikaela Llalla. Në bashkëpunim me UBT, kanë siguruar mbështetjen e nevojshme për të garantuar suksesin e përditshëm të projektit gjatë fazës së implementimit.
Përveç tjerash, studentët që kanë kryer trajnimin vitin e kaluar po ndihmojnë grupet e reja këtë vit, duke kontribuar në realizimin e vizionit të IAYSP për të krijuar një brez të ri aktiv dhe model. Grupet e reja kanë filluar trajnimet që nga muaji tetor dhe këtë vit janë pjesë e trajnimit 64 pjesëmarrës.
Ky bashkëpunim shërben si një shembull frytdhënës i përfshirjes së studentëve në ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e komunitetit, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në ndryshimet pozitive dhe të krijojnë impakt në shoqëri.
Asociacioni Ndërkombëtar i Studentëve për Paqe dhe UBT vazhdojnë të jenë udhëheqës në mbështetjen dhe promovimin e iniciativave të tilla, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e një brezi të përgjegjshëm dhe aktiv.