Në kuadër të vizitës në Poloni, kryeministri Albin Kurti ka takuar ministrin polak të Drejtësisë, Adam Bodnar, me të cilin ka diskutuar mbi bashkëpunimin e dy vendeve në çështje të sundimit të ligjit dhe reforma në sistemin e drejtësisë përfshirë vettingun.
Kurti theksoi përparimin që Kosova ka shënuar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, që është vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare, duke përkujtuar raportin Gallup që ka renditur Kosovën në top-10 vendet e botës me vlerën më të lartë të Indeksit global të ligjit dhe rendit.
Kryeministri gjatë takimit falënderoi ministrin Bodnar për kontributin e Polonisë në misionin e NATO-s në Kosovë, i cili vazhdon edhe sot.
“Hapja e Misionit të Kosovës në Poloni është dëshmi e përkushtimit tonë për bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët”, ka thënë ai.