Në një ngjarje të rëndësishme në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, diskutoi për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Aktiviteti u organizua nga Fakulteti i Shkenca Politike në UBT dhe në panelin e diskutimit mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Deklarata e Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizit u përqendrua në rëndësinë e qeverisjes lokale si një mjet për të përmbushur nevojat dhe të drejtat e qytetarëve. Ai theksoi ndikimin e historisë dhe traditës në strukturën dhe funksionimin e qeverisjes lokale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur sfidat dhe ndryshimet kushtetuese në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore pas rënies së bllokut komunist.
“Nga e kaluara jo fort e largët e dimë se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe vendet e Evropës Juglindore kanë pasur sfida të mëdha në adresimin e ndryshimeve që kanë ndodhur në fund të shekullit të kaluar me rënien e bllokut komunist. Për t’i përballuar këto sfida, këto shtete kanë implementuar ndryshime kushtetuese të nevojshme të legjislacionit që kanë mundësuar ndarjen demokratike të pushtetit qendror dhe lokal”, tha Hajrizi.
Hajrizi po ashtu përmend edhe rolin e Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale në përcaktimin e parimeve themelore të qeverisjes lokale, duke shprehur besimin se edhe pse Kosova nuk është palë nënshkruese e kartës, korniza ligjore aktuale e qeverisjes dhe pushtetit lokal e zbatojnë atë në praktikë. Në këtë mënyrë, Hajrizi theksoi rëndësinë e një qeverisje lokale të përshtatur me standarde demokratike dhe evropiane, si një hap drejt zhvillimit dhe përmirësimit të vendit të tij.
Ministri Elbert Krasniqi, ndau përvojën e tij në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal me studentët e Shkencave Politike. Ai theksoi se qasja në hartimin e politikave është ndryshuar dhe se janë filluar reformat e nevojshme që mungonin. Kjo bashkëbisedim ofroi një platformë për diskutimin e sfidave aktuale dhe për të shkëmbyer idetë për të forcuar zhvillimin e qëndrueshëm lokal në Kosovë.
Deklarata e Elbert Krasniqit, ministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, ka fokusuar në përpjekjet dhe programet e veçanta të ndërmarra për të përmirësuar gjendjen e grupeve të margjinalizuara në Kosovë. Ai theksoi se që nga fillimi i mandatit të tij, qeveria ka pasur një fokus të veçantë në këtë drejtim dhe ka krijuar programe të dedikuara për të adresuar nevojat e këtyre grupeve.
Një nga programet kyçe të përmendura është programi i financimit të komunave, i cili ka qenë i fokusuar në ndërtimin e infrastrukturës në zonat ku jetojnë grupet e margjinalizuara. Krasniqi bëri të ditur se ky program ka qenë një mbështetje simbolike për këto grupime, duke siguruar një shumë prej deri në dy milion euro në vit për këtë qëllim. Ai gjithashtu përmendi se ka pasur investime në mbi 30 ose 40 projekte në këto zona, duke synuar të përmirësojë infrastrukturën dhe të adresojë problemet që hasin këto komunitete.
Në vijim të fjalimit, Krasniqi diskutoi rastet konkrete të ndikimit të këtyre programeve në komunitetet e margjinalizuara. Ai tha se ka komuna që kanë pasur fokus më të theksuar në të kaluarën, por këto programe kanë ndihmuar që të rritet investimi në zonat e nevojshme. Kjo ka sjellë përfitime konkrete për këto komunitete, duke reduktuar problemet me infrastrukturën dhe duke sjellë ndryshime pozitive në cilësinë e jetës së tyre.
Krasniqi gjithashtu theksoi një rast konkret në Gjakovë, ku një zonë që jetojnë komunitetet kishte përballur një problem të vazhdueshëm me një deponi ilegale. Përmes programeve të Ministrisë, ata kanë arritur që të marrin masat e nevojshme për të eliminuar këtë problem, duke sjellë një ndryshim të domosdoshëm për këtë komunitet.
Ministri Krasniqi shpreh gëzimin e tij për njoftimin e mbajtjes së seancës së parë të Kuvendit të Komunës së Zubin Potokut në objektin e tyre të ri. Ai shpreh shpresën se kjo veprimtari dhe thirrja e Kryeministrit për kthimin e kryetarëve të komunave në zyrat e tyre pas zgjedhjeve të fundit do të sjellë përparim në lidhjen mes autoriteteve lokale dhe komunitetit.
“Unë shpresoj që ky veprim dhe thirja e Kryeministrit pas mbajtjes së zgjedhjeve të së dielës që kryetarët të kthehen në Komunë dhe vazhdojnë të krijonë mundësi për qytetarët edhe të bashkëpunojnë drejtpëedrejtë nga objekti i Komunës është shumë i rëndësishëm”, shtoi ministri përderisa theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për qytetarët dhe bashkëpunimin drejtpërdrejt nga objektet e komunave, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e komunitetit./UBTNews/