UBT News

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Exit mobile version