Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se procedura e zgjedhjes së nënkryetarit, Nenad Rashiq ka qenë e rregullt. Ai shtoi se secilit nga nëntë deputetët e Listës Serbe i është dhënë mundësia që të votohet nga tri herë radhazi, dhe më pas është vijuar me votimin e deputetit tjetër nga komuniteti serb.
Pas konstituimit të kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se “shpresoj që s’do të ketë më lëndë në Kushtetuese e të ecim drejt zgjedhjeve të parakohshme”.
Por, kryeparlamentari Dimal Basha tha se procedura ka qenë e rregullt.
“PDK ka të drejtë me i ngrit dyshimet e veta, Gjykata Kushtetuese është për atë punë, mirëpo procedura ka qenë plotësisht në rregull. Siç e dini, nëntë kandidatë janë propozuar dhe janë ezauruar, secilit kandidat i është dhënë mundësia për t’u votuar nga tri herë, ka mbetur një kandidat i vetëm derisa deputetët refuzuan për ta propozuar kandidatin e dhjetë atëherë me doemos unë duhet të ia ofrojë mundësinë e barabartë. E ju siç e dini, Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton se cilës parti duhet t’i takojë deputeti serb. Vetëm thotë që duhet të jetë nga komuniteti serb. Siç e dini, edhe nënkryetari i pestë i takon komunitetit serb, përfaqëson komunitetin serb, edhe me refuzimin e propozimit rrjedhimisht mua më ka obliguar të dalë tek paragrafi 7 i nenit 12 të rregullores, që është shorti, mirëpo meqë ishte kandidati i vetëm nuk kishte nevojë për short”, deklaroi Basha.
Pas konstituimit të kuvendit, Basha tha se tashmë do të rrjedhin afatet, ndërkohë që u pyet se a do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Ne kemi një kuvend të konstituuar tanimë, unë uroj dhe shpresoj që ne të kemi edhe një qeveri. Mirëpo kjo varet prej subjekteve politike dhe diskutimet që do t’i kenë. E mira e konstituimit është se tani rrjedhin afatet. Me fjalë të tjera nuk mund më askush të bllokojë afatet, rrjedhimisht i kemi dy javë afat për kandidatin e parë edhe për këtë mandatar duhet të ju drejtoheni subjekteve politike dhe unë po besoj që i takon subjektit të parë dhe kjo është e definuar, mirëpo për gjitha pyetjet ju duhet t’i drejtoni te subjekti i parë dhe uroj e shpresoj që subjektet politike të gjejnë bashkëpunimin, mirëkuptimin për të formuar qeverinë e radhës për të cilën qytetarët kanë pritur kaq gjatë”, shtoi ai.
Pas më shumë se pesë muaj, Kuvendi i Kosovës ka konstituuar legjislaturën e nëntë. Në seancën e sotme u zgjedh deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar nga komuniteti serb, për të kompletuar Kryesinë e Kuvendit.
Rashiq në seancën e sotme mori 71 vota për, nëntë vota kundër dhe 24 abstenime. Për dallim nga seancat tjera, Rashiq kësaj radhe ka marrë edhe votat e deputetëve të LDK-së. /D.B/KP