Kreu demokrat Lulzim Basha zgjodhi Elbasanin për të përmbyllur fushatën zgjedhore, në qytetin që gjatë kësaj kohe u kthye në vendin e përplasjeve dhe tensioneve mes palëve politike. Gjatë fjalës së tij Basha kërkoi votën e qytetarëve të Elbasanit për zhvillimin e Shqipërisë dhe për të kthyer modelin e qytetarisë në vend.
“Nata e së keqes bie për herë të fundit këtë të diel, se Elbasani do të marrë në dorë fatet e veta ëndrrat tuaja dhe të miat për Elbasanin nuk kanë mbaruar. Ëndrrat e mia më 25 prill të fillojmë punën me votën tuaj për të bërë realitet këto ëndrra për të çliruar biznesin, arsimin, shëndetësinë dhe rininë, për t’u dhënë mundësi për zhvillim e punësim dhe për të kthyer modelin e qytetarisë që ju bën krenar. Do ta bëjmë realitet se të dielën e gjithë Shqipëria dhe zemra e saj Elbasani do të votojnë masivisht për numrin 9 dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, për qytetarinë, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”.
Teksa përmendi disa nga arritje në qeverisjen demokrate për këtë qark, Basha shprehu bindjen se të dielën e 25 prillit qytetarët do të votojnë masivisht për ndryshimin.
“Bahskë me ndryshim për fitore. Bashkë bëmë realitet tunelin e Kërabës, kaskadën e Devollit dhjetëra familje të punësuara. Shtruam rrugën e zhvillimit e infrastrukturës dhe vepra të tjera i lamë gati për të përfunduar si Qukës, Qafë Plloçë dhe projektin e përfundimit të korridorit 8. 8 vite vuajtje, padrejtësi, dhunë. Të dielën Elbasani i prin fitores më të thellë, më të madhe dhe më të bukur, fitores dhe ndryshimit, që kjo kështjellë e kala e qytetarisë, mençurisë, arsimit e dijes dhe punës e zejtarisë e bujqësisë të rrezatojë anëmbanë Shqipërisë, kulturën, traditën e çmuar të Elbasanit. Dhe kështu do të ndodhë se më 25 prill elbasanasit do të votojnë për qetësinë e familjeve të tyre, paqen, sigurinë, punësimin e nënave dhe baballarëve dhe për ta kthyer Elbasanin dhe universitetin e tij në qendër model arsimi për rininë e mrekullueshme të Elbasanit, Korçës e mbarë Shqipërisë.
Basha theksoi se ndryshimi është në dorën e çdo burri dhe gruaje që voton në 25 prill dheu kërkoi të zgjedhin për 4 vite të tjera si këto apo për të hapur dyert e zhvillimit. Ai tha s ea ka parë nga jugu në veri oshëtimën e fitores dhe theksoi se ndryshimi do të jetë i prekshëm.
“Dhe kështu do të ndodhë mirëqenia, punësimi janë tashmë jo të kyçura në vargonjtë e Ramës, por janë në 25 prill këtë diel. Në dorën e çdo burri gruaje e vajze e djali që do votojë për ndryshimin e fitoren. Do votojë në këtë qytet e trevë, një popull që mezi por e pret të dielën se ju e dini që këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për Shqipërinë se vendimi që do i marrim është edhe 4 vite të tjera si këto 8 apo bashkë për të hapur dyert e ndryshimit e zhvillimit dhe për të hapur dyert e Shqipërisë si gjithë Europa. Ne e dimë fare mirë, ju e dini fare mirë e unë e kam parë nga jugu ne veri buçimën e fitores. Kjo do jetë fitorja më e bukur se do t’ju takojë të gjithë ju vëllezër dhe motra. Ndryshimi do jetë i prekshëm për çdo banor të Elbasanit dhe prandaj kam nderin dhe kënaqësinë dhe ju mundësinë të çoni drejt parlamentit dhe mazhorancës fituese të PD dhe aleatëve tanë ekipin tonë të mrekullueshëm, shkrimtarë, profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë sipërmarrës të drejtuar nga sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi”.