Një studim i ri ka arritur në konkluzionin se barnat për mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut nuk e rrisin rrezikun e depresionit, madje disa prej tyre mund të ulin rrezikun.
Ky studim është i rëndësishëm sepse hedh poshtë pretendime të mëparshme se barna të tilla rrisnin rrezikun e depresionit, një sëmundje që ndikon tek shëndeti i zemrës.
Studimi është publikuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës në revistën mjekësore Hypertension.
Ai analizoi ndikimin e 41 barnave kryesore për tensionin e gjakut dhe zbuloi se asnjë prej tyre nuk rriste rrezikun e depresionit, madje 9 prej tyre e ulnin këtë rrezik.
Ekspertët i përshkruan gjetjet e studimit si ‘befasuese’.
Si ndikon depresioni tek zemra dhe i gjithë organizmi?
Depresioni jo domosdoshmërisht manifestohet me simptoma emocionale.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, simptomat fizike të depresionit janë të shumta siç janë luhajtjet në regjimin e gjumit, mungesë oreksi dhe rënie të energjisë.
Përpos tyre, njeriu vuan edhe nga dhimbjet e kokës ose të shpinës.
Disa njerëz përjetojnë edhe ndryshime në peshën e tyre.
Këto simptoma shfaqen sepse depresioni ndikon në disa zona të caktuara të trurit që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionon organizmi.
Për pasojë, njerëzit që vuajnë nga depresioni janë ndjeshëm më të rrezikuar nga dhimbja kronike.
Njerëzit e prekur nga depresioni kanë mungesa të thella të gjumit, por nga ana tjetër, ata janë tepër të drobitur dhe duan të flenë më shumë.
Depresioni ndikon tek i gjithë trupi dhe jo vetëm truri.
Ai shkakton një inflamacion të shkallës së ulët që bllokon enët e gjakut.
Depresioni nxit edhe prodhimin e hormoneve të stresit duke zbehur reagimin e zemrës kur kërkon më shumë gjak.
Këto hormone aktivizojnë disa fragmente qelizore që grumbullohen dhe ngjiten me njëra tjetër duke bllokuar qarkullimin e gjakut e rrezikuar shëndetin e zemrës.
Pëveç ushqyerjes, aktivitetit fizik dhe trajtimit me barna të depresionit të rekomanduara nga mjeku, ekspertët rekomandojnë edhe përdorimin e bimëve mjekësore të caktuara që qetësojnë shpirtin, mendjen dhe për pasojë edhe organizmin plotësisht./AgroWeb.org