Duart e lidhura, plagët si pasojë e armëve të zjarrit nga një distancë e afërt dhe shenja torture u panë në mesin e banorëve në një qytet në periferi të Kievit pasi ushtarët rusë u tërhoqën nga zona.
Autoritetet ukrainase akuzuan forcat në largim të dielën se kanë kryer krime lufte dhe kanë lënë pas një “skenë nga një film horror”.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka hedhur poshtë pamjet e dala nga Bucha, teksa ka bërë thirrje që të mbahet takimi i Këshillit të Sigurisë së hënën.
Gazetarët e Associated Press panë trupat e së paku 21 personave në pika të ndryshme rreth Bucha.
Një grup prej nëntë vetash, të gjithë me rroba civile, u shpërndanë rreth një zone që banorët thanë se trupat ruse e përdornin si bazë. Ata duket se u vranë nga një distancë e afërt. Të paktën dy personave ua kishin lidhur duart pas shpine, njëri u qëllua në kokë dhe tjetrit ia lidhën këmbët.
Një banor, i cili refuzoi të bënte të ditur emrin e tij për shkaqe sigurie, tha se trupat ruse shkuan ndërtesë më ndërtesë dhe nxorrën njerëzit nga bodrumet ku ishin fshehur, duke ua kontrolluar telefonat e tyre dhe pastaj i qëllonin për vrasje.
Hanna Herega, një tjetër banor, tha se trupat ruse filluan të gjuanin drejt një fqinji i cili kishte dalë për të mbledhur dru.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i quajti ato prova të gjenocidit./UBTNews/