22 Nëntori është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, tashmë e shpallur dhe festë zyrtare.
116 vite pas “Kongresit të Alfabetit”, që ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, që sot njihet si “Kongresi i Manastirit”, Shqipëria po bën hapa pas, duke rrezikuar rritjen e analfabetizmit në vend.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë.
Në vitin 2023, norma bruto e regjistrimit në shkollën fillore në Shqipëri zbriti në 93.7%, nga 105.4% që kishte qenë në vitin 2017, duke shënuar një rënie të fortë pas pandemisë.
Kjo do të thotë që të regjistruarit në shkollë fillore (pavarësisht moshës) ishin sa gati 94% e popullsisë 6-12 vjeç. Ky është niveli më i ulët rekord, që nga viti 1976, kur Banka Botërore raporton të dhënat.
Përkeqësimi i këtij treguesi, sipas ekspertëve, është i lidhur me disa faktorë si statistikorë, ashtu dhe të sjelljes. Së pari, emigrimi i familjeve që kanë fëmijë në arsimin e detyruar si dhe i atyre në moshën e arsimit të mesëm, ndërkohë që ata vijojnë të figurojnë në regjistrat e gjendjes civile.
Të dhënat tregojnë se ka rrezik të kemi rritje të numrit të të rinjve, që nuk kanë kryer as arsimin e detyruar, çka do të ulë nivelin mesatar të shkollimit në vend. Kjo mund të çojë në rritjen e numrit të analfabetëve në vend.
Jo vetëm regjistrimi në shkollat fillore që japin formim bazë ka rënë, por gjithashtu edhe cilësia e mësimdhënies, siç treguan rezultatet e fundit të testit ndërkombëtare Pisa, ku Shqipëria kishte rënien më të lartë në botë.
Nivelin më të ulët të regjistrimit bruto në arsimin fillor në Europë e ka Rumania (84.9) e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (87.2), Ukraina (92.8), Malta (93.5).