Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore ka miratuar sot Financimin e Politikave Zhvillimore (FPZH) për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme, që do të mbështesë reformat e Kosovës drejt përmirësimit të transparencës fiskale, zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së qëndrueshmërisë mjedisore pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Ky financim, në vlerë prej 50.6 milionë euro (56.4 milionë dollarë), mbështet prioritete të përzgjedhura nga Programi i Qeverisë për periudhën 2021–2025.
“Reformat e përkrahura nga ky operacion do të mbështesin Qeverinë e Kosovës në rrugëtimin për rritje më të qëndrueshme përtej recesionit të shkaktuar nga COVID-19”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Pandemia ishte një barrë e rëndë për pozicionin fiskal të qeverisë në dy vitet e fundit. Në rrugën përpara, dhe pas një ringjalljeje të fortë të rritjes ekonomike në vitin 2021, Banka Botërore thotë se do të jetë e rëndësishme që autoritetet të ruajnë dhe të konsolidojnë politikën fiskale për të siguruar hapësirë të duhur për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe për të promovuar uljen sa më të shpejtë të varfërisë. Në këtë kontekst, FPZH do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale, me synimin e rritjes së qëndrueshmërisë në periudhë afatmesme.
Pandemia ka rritur gjithashtu rëndësinë e një mjedisi më mbështetës për sektorin privat drejt arritjes së synimeve të Kosovës për rritje më të lartë ekonomike dhe ulje më të shpejtë të varfërisë.
Banka Botërore thotë se sektori privat në Kosovë mbetet nën nivelin e pritur sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit.
“Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik. FPZH do të mbështesë një sërë masash [të Qeverisë] për të përmirësuar mjedisin mbështetës për zhvillimin e sektorit privat”, vijon komunikata e BB.
Sipas BB-së, qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja e rritjes ekonomike në Kosovë është gjithashtu e rrezikuar ndjeshëm nga sfidat urgjente mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës. Për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, FPZH do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave”, vijon BB.
FPZH financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejs-periudhë) prej 5 vjetësh. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.