Banka Botërore ka parashikuar se rritja ekonomike globale do të mbetet e qëndrueshme në nivelin prej 2.7% për vitet 2025 dhe 2026, duke reflektuar një stabilizim të ritmeve të shënuara në 2024. Megjithatë, ekonomitë në zhvillim vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha dhe një perspektivë të dobët afatgjatë të rritjes, që nga fillimi i shekullit të 21-të. Rritja në këto ekonomi pritet të mbetet në 4% gjatë dy viteve të ardhshme, një ritëm më i ulët krahasuar me periudhën para pandemisë.
Raporti thekson se kufizimet e tregtisë globale dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike kanë ndikuar negativisht ekonomitë në zhvillim, duke thelluar hendekun mes tyre dhe vendeve të pasura. Përveç kësaj, rënia e ritmeve të rritjes së të ardhurave për frymë që nga viti 2014, përjashtuar Kinën dhe Indinë, ka krijuar vështirësi për zbutjen e varfërisë dhe arritjen e qëllimeve të zhvillimit. Sfidat strukturore të këtyre vendeve priten të thellohen gjatë 25 viteve të ardhshme.
Pavarësisht sfidave, ekonomitë në zhvillim kanë fituar rëndësi të madhe në ekonominë globale, duke përbërë aktualisht 45% të PBB-së globale. Këto vende kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në tregtinë ndërkombëtare, remitanca dhe ndihmat për zhvillim. Rritja e tyre ekonomike, veçanërisht në Kinë, Indi dhe Brazil, ka një ndikim të fuqishëm në ekonomitë e tjera në zhvillim, duke treguar se bashkëpunimi dhe politikat e qëndrueshme janë kyçe për stabilitetin dhe përparimin global./UBTNews/