UBT News

Banda e Haitit kërkon 17 milionë dollarë për lirimin e misionarëve të rrëmbyer

Banda që rrëmbeu 16 misionarë amerikanë dhe një kanadez në Haiti ka kërkuar 1 milion dollarë për secilin prej tyre, tha një zyrtar i lartë i Haitit, raporton Wall Street Journal, transmeton UBT News.

Banda“400 Mawozo” kishte rrëmbyer grupin, pasi ata po ktheheshin nga vizita në një jetimore në Croix des Bouquets, në Port-au-Prince.

Ministri haitian i Drejtësisë, Liszt Quitel tha dje se misionarët po mbaheshin në një shtëpi të sigurt nga banda e cila ka kërkuar një total prej 17 milionë dollarësh për lirimin e tyre.

FBI dhe policia haitiane janë në kontakt me rrëmbyesit, duke shtuar se negociatat mund të zgjasin me javë, tha Quitel për WSJ.

Misionarët e rrëmbyer janë të lidhur me Ministritë e Ndihmës së Krishterë me bazë në Ohajo, të cilat konfirmuan rrëmbimin të dielën në një deklaratë, duke thënë se grupi i rrëmbyer përbëhej nga pesë burra, shtatë gra dhe pesë fëmijë.

Quitel i tha WSJ se pesë fëmijët e rrëmbyer përfshinin një foshnjë 8 muajshe dhe të mitur të moshës 3, 6, 14 dhe 15 vjeç, përcjell UBT News.

Rrëmbimi i tyre është pjesë e një vale të rrëmbimeve që vjen pasi vendi vuan nga paqëndrueshmëria politike, trazirat civile, mungesa e kujdesit shëndetësor cilësor dhe varfëria e rëndë.

Pak para rrëmbimit të misionarëve, një sindikatë në Haiti kishte bërë thirrje për një grevë duke filluar nga e hëna për të protestuar kundër rritjes së rrëmbimeve./UBTNews/

Exit mobile version