UBT News

Ballkani po armatoset, ekspertët: Kosova të rrisë buxhetin për ushtrinë!

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në vendet e Ballkanit Perëndimor është një tendencë e pashmangshme, e cila ka ardhur si pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, kanë investuar ndjeshëm në forcat e armatosura, një proces që ekspertët e sigurisë e shohin si të domosdoshëm për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në një periudhë të paqartë globale.

Gurakuç Kuçi, ekspert i sigurisë nga instituti Octopus, thotë për Kosovapress se kërkesa për riarmatim është rritur ndjeshëm që nga nisja e luftës në Ukrainë. Ai thekson se, ndërsa disa shtete në rajon po investojnë për mbrojtje, të tjera, si Serbia, po përdorin armatimin si një mjet për të realizuar objektiva ekspansionistë. Përveç Kosovës, shtete të tjera si Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë të fokusuar në forcimin e mbrojtjes, ndërsa Serbia vazhdon të rrisë shpenzimet për ushtrinë me qëllime të tjera gjeopolitike.

Profesori Mazllum Baraliu e shikon këtë fenomen si pjesë të një rendi të ri botëror, ku fuqitë e reja ekonomike dhe ushtarake janë në zhvillim e sipër. Sipas tij, çdo qeveri duhet të marrë masa për t’u armatosur dhe për të siguruar një mekanizëm mbrojtës, duke pasur parasysh se as NATO dhe as Bashkimi Evropian nuk mund të ofrojnë një siguri të plotë për shtetet e rajonit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Lutfi Bilalli, thekson se ndryshimet gjeostrategjike dhe tensionet globale kanë çuar në një garë të armatimeve mes shteteve të Ballkanit. Ai shton se buxhetet për mbrojtje janë rritur, sidomos në Serbi, e cila ka bërë investime të konsiderueshme në ushtri. Sipas Bilallit, edhe Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të rrisin buxhetet për mbrojtjen, për t’u siguruar se do të jenë në gjendje të përballen me kërcënimet e mundshme.

Për vitin 2025, buxheti i Kosovës për ushtrinë është vlerësuar në 208 milionë euro, ndërsa Serbia ka ndarë 2.2 miliardë euro për mbrojtjen, një rritje prej 700 milionë eurosh krahasuar me vitin 2021. Kjo rritje e shpenzimeve është një reflektim i klimës të tensionuar ndërkombëtare dhe nevojës për të forcuar kapacitetet mbrojtëse në Ballkan./UBTNews/

 

Exit mobile version