Çfarë mund të thotë një përdorues droge? Do të donit të bisedonit hapur me një të tillë? Interesante, ndoshta! UBTNews ka realizuar një bashkëbisedim me njëzetvjeçarin nga Mitrovica, Z.Zh (inicialet e emrit të ndryshuara), përdorues i substancave narkotike. Ai flet pa ndrojtje, e madje edhe duket se nuk e ka fare problem të thotë gjithçka për çfarë pyetet. I zbehur në fytyrë, me gjestikulacione paksa të çakorduara, shpesh me një qeshje pa vend, ai megjithatë thotë se nuk është i penduar, ndonëse tashmë duket thellësisht i varur nga substancat e tilla.
Arbnora Pllana studente e vitit të dytë në Media dhe Komunikim
Sikur bën se e kërkon zanafillën e fillimit të përdorimit të marihuanës, tek Z.Zh, pyetet se kur e nisi atë. Me kokën pak të ulur, pas pak sekondash thotë:
“Që nga mosha 12-vjeçare jam një përdorues i llojeve të ndryshme të narkotikëve. Sot jam 20 vjeç”.
Buza në gaz, sikur e bënë të ndihet krenar, duke shtuar se arsye e fillimit të konsumimit të substancave “ishte punë qejfi me shoqëri”.
Gjatë kësaj periudhe 8-vjeçare, ai thotë të ketë përdorur edhe lloje të tjera të narkotikëve, pos marihuanës, të cilat shton se në Mitrovicë, gjenden kollaj.
“Kalimi prej drogës më të lehtë e tek më e rënda, është thjeshtë ndjenja për kalimin nga jeta reale në botë joreale”, thotë Z.Zh.
Ai është i vetëdijshëm për pasojat shëndetësore që barttë përdorimi i substancave narkotike, andaj edhe kishte provuar për një kohë të shkëputet nga konsumimi i tyre.
Z.Zh, ka ndjerë me dhjetëra herë barrën e peshës së dëmit që bartë përdorimi i drogave.
“Më ka shkaktuar probleme të ndryshme në rrethin shoqëror. Jam tip ngacmues, arrogant – një tip ngatërrestari. Kam shpenzuar shumë, e si pasojë kemi probleme financiare në familje”, thotë ai, dhe “shpesh kam rrezikuar fort për të siguruar substancat narkotike”.
Z.Zh, thotë se ai është vetëm një përdorues drogash, e nuk është marrë asnjëherë me shitjen e tyre.
“E vështirë për me besu, se zakonisht personat që janë abuzues me substanca narkotike, janë edhe shitës të tyre. Unë nuk kam rrezikuar të shes, ama ndoshta e provojë edhe këtë”, thotë ai me nënqeshjen që s’i hiqet nga fytyra.
Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë, është në nivele të larta, sipas shumë të dhënave të shumta. Mitrovica, është një nga qytetet prijëse, ku rinia veçanërisht, prezantohet si konsumuese narkotikësh. Ndonëse vazhdimisht është punuar në vetëdijësimin e të rinjve për parandalimin e konsumimit të drogave, numri i përdoruesve shkon duke u rritur.
Nga Departamenti i Antidrogës për rajonin e Mitrovicës, megjithatë nuk pranuan të flasin për UBTNews duke mos ofruar as të dhëna për përdoruesit e drogës.
Edhe pse në mungesë të të dhënave zyrtare për përdoruesit e drogës në qytetin e Mitrovicës, siç thotë Z.Zh, ka shumë konsumues, madje ai thotë se çdo ditë e më shumë numri i tyre po shtohet.
Rreth përdorimit të drogës në qytetin e Mitrovicës dhe kërkesave nga narkomanët për trajtim mjekësor, nuk kanë folur asnjë nga doktorët e psikologët e kontaktuar nga UBTNews.
Kosova kishte aprovuar që më 2009, Strategjinë Kombëtare Kundër Drogës dhe Planin e Aksionit, duke u zotuar për të vendosur në prioritet gjithë masat preventive kundër drogës si pjesë e aktiviteteve të reduktimit të kërkesës për drogë./UBTNews/