Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija ka treguar për ecurinë e Konventës Vjetore, e cila do të mbahet gjatë ditës së sotme.
Sipas tij, Konventa Vjetore e Shoqatës së Bankave të Kosovës 2021 ka për temë Financimin e Qëndrueshëm: Standardet Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse për Financim të Qëndrueshëm në Kosovë. Ai thotë financimi i qëndrueshëm synon integrimin e kritereve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së mirë (ESG) në shërbimet financiare dhe në mbështetjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër dhe një ekonomi më të qëndrueshme.
Kjo Konventë do të rrisë kuptimin e këtyre sfidave dhe do të diskutojë mbi masat e rëndësishme dhe të nevojshme për financim të qëndrueshëm.