Prej vitesh, Bali përballet me probleme të theksuara lidhur me menaxhimin e mbeturinave, të cilat shpesh përfundojnë në plazhet më të vizituara nga turistët. Gjatë periudhës tetor-mars, kushtet atmosferike si erërat e forta dhe valët kontribuojnë në grumbullimin e mbetjeve plastike në bregdet, duke ndikuar negativisht në imazhin e destinacionit turistik.
Për të përballuar këtë sfidë, autoritetet lokale kanë nisur testimin e disa zgjidhjeve teknologjike, përfshirë robotë të posaçëm për pastrimin e plazheve. Një prej tyre, roboti BeBot Smart Beach Cleaning, u prezantua së fundmi në FINNS Beach Club në Canggu. Ky robot ka një kosto prej rreth 65 mijë dollarësh dhe është projektuar për të ndihmuar në mbledhjen e mbeturinave në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.
Zyrtarët lokalë shprehen se synimi afatgjatë është që pajisje të tilla të përdoren në të gjitha zonat bregdetare të ishullit, për të mbrojtur mjedisin dhe për të garantuar një përvojë më të pastër për vizitorët.