Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi se transferimi i mbi dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një operatori ekonomik u realizua përmes një krimi kibernetik.
“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer paswordet”, deklaroi Bajrami para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Ministrja Bajrami deklaroi se për këtë transaksion nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.
Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari i Shtetit. Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar.