UBT News

​Bajrami thotë se Qeveria ka shpenzuar 31 milionë euro për karburant, reagon Murati

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se shpenzimet e institucioneve për karburant janë 31 milionë euro për vitin 2023.

Ish-ministrja e Financave, Bajrami duke e quajtur Muratin manipulues, ka publikuar edhe një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit sa i përket këtyre shpenzimeve.

Trego kush po rren. A po rren Zyra Kombëtare e Auditimit? Në Raportin e Auditimit 2023, në faqe 42, shkruan se janë 31 milionë euro shpenzime në karburante. Ministër, i vetmi manipulues këtu jeni ju, por, mashtrimeve dhe manipulimeve po ju vjen fundi dhe atë shumë shpejtë, me 9 shkurt”, shkruan ajo në Facebook.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratës së dhënë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami se Qeveria Kurti i ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.

Murati tha se deklarata e Bajramit është e pavërtetë, pasi sipas tij, shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe lokal është 10.47 milionë euro.

Hykmete, nëse duhet të të përgjigjem ashtu siç e ke shtruar pyetjen, ajo që po rren je ti, kur thua që janë shpenzuar 31 milionë euro naftë për vetura zyrtare (shih foton e dytë). Fakti i pakontestueshëm është se në vitin 2023 për qeverinë bashkë me të gjitha institucionet tjera dhe komunat, karburant për vetura (dhe jo vetëm zyrtare, por kryesisht policia dhe FSK-ja) është shpenzuar 10.47 milionë euro”, shkruan Murati.

Exit mobile version