UBT News

Bajrami thotë se përmes Ligjit të Pagave është ndërhyrë në sektorin e drejtësisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sot në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, u shprehu shqetësimin lidhur me vlerën monetare të koeficientit të pagave për sektorin publik, që u caktua dje nga Qeveria në shumën prej 105 eurove.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ajo tha se qeveria ka dështuar të ndërmarrë edhe një masë të vetme për të adresuar rritjen enorme të çmimeve.

“Rritjen e çmimeve më së miri e tregojnë statistikat e Doganave të Kosovës, sipas të cilave, eksporti në vitin 2022 në krahasim me një vit më herët ka rënie në sasi prej 15 për qind dhe ka rritje në vlerë për 22 për qind, ndërkohë që, importi në krahasim me një vit më herët ka rënie në sasi prej 15.5 për qind dhe ka rritje në vlerë për 20.5 për qind… Kjo domethanë që qytetarët tonë kanë konsumu 14.5 për qind më pak, po kanë shpenzu 36 për qind ma shumë. Kjo nuk domethanë që produketet vendore i kanë zëvendësu produktet e importit, sepse e patë rënien dhe te prodhimi vendor, duke e matë në aktivitet të eksportit. Sot ka rritje enorme të çmimeve”, u shpreh ajo.

Bajrami deklaroi se LDK përgjatë 12 muajve të fundit ka propozuar masa për energji, për inflacion, të cilat tha se nuk janë marrë parasysh. Ajo tha se kanë kërkuar që të suspendohet TVSH-ja për produktet bazë të konsumatorit, por tha se as kjo nuk ka ndodhur.

Për koeficientin e pagave të caktuar dje, Bajrami tha se Qeveria doli me statistika të pasinqerta dhe u shpreh se me ligjin e pagave është ndërhyrë në sektorin e drejtësisë.

“Qeveria dje nuk i tregoi policit të lartë që po i ngritet paga për 180 euro, por atij me pagën e shkurtit, nuk i paguhet më shtesa prej 180 euro. Qeveria nuk i tregoi mësimdhënësit që atij nuk i paguhen më shtesat, nuk i paguhen sepse ministrja e Arsimit e ka shfuqizu kontratën kolektive…Dhe nuk paguhen asnjë prej shtesave, sepse nëse e shohim ligjin e pagave, prej nenit 22 deri në nenin 34 janë hequr pothuajse të gjitha shtesat…Përmes ligjit të pagave është ndërhy në sektorin e drejtësisë”, shtoi ajo.

Vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave do të jetë 105 euro. Ligji që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

Exit mobile version