Ish ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të bëj zgjidhje urgjente për kthimin e fëmijëve në shkolla.
Shkollat e Kosovës u mbyllën në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.
Qeveria u akuzua se nuk ia doli të menaxhonte mirë pandeminë gjatë kësaj periudhe, çka çoi edh në masa më të rrepta dhe në pezullimin e fillimit të procesit mësimor.
Bajrami, nuk ka kursyer kryeministrin Kurti duke thënë që duhet të bëj zgjidhje edhe pse e di “që është i zënë me punë tjera, edhe me angazhime e punësime partiake”.
Ajo shton se nuk ka parë deri tash një rrugë të qartë ose një strategji nga Ministria e Arsimit për hapjen e shkollave në vend.
Statusi i plotë:
Kryeministër bëni zgjidhje për hapjen e shkollave
Sot, si në kohë lufte, shkollat janë të mbyllura. Kjo nuk është zgjidhje. Sot do të duhej të uronim fillimin e vitit të ri shkollor. Sikurse po ndodh në vendet e rajonit. Kur erdhi pandemia, më 11 mars 2020 u mbyllën shkollat por pas një jave filloi mësimi online.
Kryeministër, duhet të bëni zgjidhje, e di që jeni i zënë edhe me punë tjera, edhe më angazhime e punësime partiake, edhe me fushatën elektorale, por po kërkoj nga ju dhe secili anëtar i kabinetit qeveritar të fokusoheni në gjetjen e një zgjidhje për hapjen e shkollave.
Deri tash s’kam parë një rrugë të qartë, një strategji ose dokument të Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave.
Kryeministër bëni zgjidhje. Ka kohë për fushatë elektorale. Ka kohë për sulme politike.
Qytetarët ju votuan për të bërë zgjidhje dhe fjala është e Juaja.