Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka nevojë që të ketë koordinim për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Nuk ka nevojë me u koordinu fare sepse ne marrëveshjet ndërkombëtare nuk i votojmë me i bë favor Lëvizjes Vetëvendosje, por marrëveshjet ndërkombëtare në i votojmë atëherë kur jemi të bindur që ato shkojnë në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Bajrami.
Bajrami ka treguar se janë disa marrëveshje për të cilat kanë pasur kundërshtime dhe se të njëjtat do të vazhdojnë të mos i votojnë.
“Ne e kemi kundërshtuar një marrëveshje ku MF –ja ka marrë kredi 40 milionë euro për skemat sociale, kemi disa vota për dhe disa kundër sa i përket marrëveshjes për burgun e Gjilanit dhe është marrëveshja e OPEC-ut të cilën prej ditës së parë e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë. Ndërkohë, që për të tjerat nuk ka asnjë nevojë për një koordinim. Pra prapë, po e them nuk i votojmë as për hatër të znj. Kusari dhe as të Lëvizjes Vetëvendosje, por e bëjmë këtë sepse mendojmë që duhet të jemi të përgjegjshëm karshi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Nuk ka koordinim me VV-në”, ka thënë ajo.
E pyetur se a janë duke u koordinuar për datën se kur këto marrëveshje të hidhen për votim në Kuvend, Bajrami ka thënë se data caktohet në mbledhje të Kryesisë, dhe se nuk ka çka të ketë koordinim.
“Datat për seanca zakonisht caktohen në mbledhje të Kryesisë, por nuk ka koordinim për t’i dhënë votat sepse ne votat i kemi dhënë prej fillimit, përpos atyre marrëveshjeve të cilat i përmenda”, ka shtuar Bajrami.