Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se nuk ka nevojë që të përsëritet sërish një proces zgjedhor. Sipas tij, qëndrimi i LDK-së është që ketë konstituim të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa shtoi se bashkimi i dy palë zgjedhjeve do të shkaktonte probleme të mëdha.
Kështu u shpreh deputetetja Bajrami, pas dështimit për herë të 27-të për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
“Unë mendoj që ne veç sa e kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale, në fakt edhe si parti e kemi të njëjtin qëndrim dhe duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor, sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha. Në ndërkohë ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuar dhe kohën që e ka marrë për numërim të votave nga ana e KQZ-së. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuara do të shkaktonte probleme të mëdha dhe ka shumë mundësi që zgjedhje të tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë subjekt”, u shpreh Bajrami.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se degët e LDK-së në komuna janë në procesin konsulatativ për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komunash.
“Nuk janë përcaktuar emrat, janë mbajtur takime të përbashkëta me kryesinë dhe kryetarët e degëve, gjithashtu me kryetarin dhe kryetarët e degëve, e kemi ndarë procesin në tri faza. Dhe tani janë komunat, degët e LDK-së në gjitha komunat në Kosovë të cilat janë në fazën e procesit konsultativ, disa prej tyre veç i kanë paraqitur kandidaturat, disa të tjera janë në proces”, shtoi Bajrami.