Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se në seancën e sotme votuan për zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku shtoi se “kanë kuptuar që ka të drejtë të zgjedhet nënkryetar”.
Pas konstituimit të Kuvendit, Bajrami tha se nga sot rrjedhin afatet kushtetuese edhe për formimin e qeverisë së re.
“Ne votuam për Nenad Rashiqin sot sepse aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një interpretim të cilin ne nuk e kishim më parë dhe sipas asaj që ne kemi kuptuar ai ka të drejtë që të zgjedhet si nënkryetar edhe përfaqësues i komunitetit serb. Se a do të ketë qeveri kjo nuk varet prej nesh, e kemi thënë që nga fillimi që varet prej partisë së parë, ne nuk i kemi pasur numrat asnjëherë. Sikur të ishte varur prej neve do të kishim qeveri shumë kohë më parë dhe në qoftë se nuk do të formohet qeveria natyrisht që votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për shpërbërje të kuvendit, sepse nuk mund të mbajmë peng institucionet”, shtoi Bajrami.
Pas më shumë se pesë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka konstituar legjislaturën e nëntë me zgjedhjen e deputetit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar nga komuniteti serb, për të kompletuar Kryesinë e Kuvendit.
Rashiq në seancën e sotme mori votat e 71 vota për, nëntë vota kundër dhe 24 abstenime.
Për dallim nga seancat tjera, Rashiq kësaj radhe ka marrë edhe votat e deputetëve të LDK-së./D.B/KP