Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami tha se legjislatura aktuale nuk mund të quhet e suksesshme pasi sipas saj mazhoranca në Kuvend duke ju nënështruar Qeverisë ka shkelur 10 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Mazhoranca gjithashtu ka sabotu punë e shumicës së komisioneve hetimore, duke mbrojtë me fanatizëm të korruptuarit e partisë në Qeveri, kjo s’ka ndodhë asnjëherë në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa sesioni pranveror nuk ka përfundu me 1 gusht siç po thuhet, sepse ka muaj që Kuvendi s’ka mbajtë seancë të rregullt, në emër gjoja të ‘renovimit të sallës plenare’”.
“E sa ju përket ligjeve të miratuara, këtu vend për lëvdata nuk ka, sepse gjatë këtij mandati plot 112 ligje janë ndryshu me nga një nen maksimum dy nene për tu harmonizuar me dy Ligje që janë ndryshu siç duhet: Me Ligjin për Kundërvajtje – janë ndryshu 31 ligje tjera (një nen ose dy maksimum). Me Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrativenë në fazën e parë janë ndryshu 38 ligje me nga një nen maksimum dy dhe në fazën e dytë janë ndryshu 43 ligje me një nen maksimum dy. Dmth. në këtë mandat me 2 ligje janë ndryshu 112 ligje”, tha deputetja Hykmete Bajrami.
Deputetja Hykmete Bajrami tha se kur t’i heqin 112 ligje nga totali i ligjeve të aprovuara në këtë mandat ajo që këta quajnë ”përformancë” bie me 50%.
“Qytetarët e kanë kuptuar kush jeni, andaj s’ju ka mbetë tjetër veç manipulimit me shifra e ”patriotizmit” për vota që sot na e shesin dezertorët e dikurshëm”, tha Bajrami.
Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar të suksesshëm sesionin pranveror të Kuvendit, duke thënë se legjislatura aktuale është më e suksesshmja me gjithsej 254 ligje të miratuara deri më tani./UBTNews/