Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 është brenda afatit optimal. Sipas tij veprimet e institucionit të ndjekjes janë për t’u duartrokitur pasi ka kryer një punë që nevojiten tri vite kohë.
“Po pra, mund të ngritët aktakuzë dhe të gjykohen në mungesë të pandehurit për sulmin terrorist dhe me përmasa të agresionit në rastin e 24 Shtatorit të vitit të shkuar… aktakuza (për gjykim në mungesë) u ngritë për më pak se një vit. Aktakuza u ngritë brenda një afati optimal, për faktin se ky është pa dyshim njëri nga rastet më komplekse, për çka ligji, për raste të tilla ka paraparë që hetimet mund të zgjasin deri në tri vite, pra, një punë që mund të kryhet për tri vite, të kryhet brenda më pak se një viti, është për t’u duartrokitur”, ka thënë Bajraktari.
Ai shpreson që prokurori i çështjes t’i ketë ndërmarrë veprimet e duhura të parapara me ligj.
“Shpresoj se Prokurori i çështjes, ndonëse i ballafaquar me sulme dhe etiketime në opinion, mbi baza të rregullta nga faktorë edhe politikë, t’i ketë ndërmarrë veprimet e duhura të parapara me ligj, përfshirë përpjekjet e arsyeshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë sikurse parashihet me nenin 303, paragrafi 8, të Kodit të Procedurës Penale. Drejtësia bazohet në prova dhe fakte, ajo duhet të vendosët ku e ka vendin, të tjerët nëse nuk mund ta ndihmojnë, se paku të mos e pengojnë atë”, shtoi ai.