Mitrovica këtë javë është në zonën verdhë dhe s’ka orë policore. Kështu ka deklaruar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku i pari i Mitrovicës shprehu kundërshtimin e tij për ta vendosur komunën e Mitrovicës në zonë të kuqe, duke e arsyetuar me shifra të sakta të personave të prekur. Siç njoftoi Bahtiri, ministri Zemaj u dakordua që Mitrovica të jetë në zonë të verdhë.
“Ndërsa, sa i përket masave të vendosura nga Qeveria lidhur me vendosjen e Komunës së Mitrovicës në zonë të kuqe, unë shpreha kundërshtimin tim edhe në këtë takim, duke e arsyetuar me shifra të sakta të personave të prekur në qytetin tonë të marra çdo ditë nga IKShP-ja, dhe pas këtyre informatave të detajuara dhe të argumentuara, ministri Zemaj është dakorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës që këtë javë të vazhdoj të jetë në zonën e verdhë, i cili presim të publikohet nesër”, shkroi mes tjerash Bahtiri në Facebook.
Në mënyrë që Mitrovica të vazhdoj të mbetet në zonën e verdhë apo të bëjë progres dhe të kalojë në zonën e gjelbër, Bahtiri i luti qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal duke i vendosur maskat dhe zbatuar në mënyrë strikte udhëzimet e IKShP-së./UBTNews