Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock u ka kërkuar qeverive të tjera që të distancohen nga Hamasi dhe sulmi që nisi më 7 tetor ndaj Izraelit. Këto deklarata ajo i dha në Malajzi, vendin me shumicë myslimane që mbështet Hamasin dhe kauzën palestineze.
Ministrja tha se për të forcuar të drejtën ndërkombëtare është “e rëndësishme të dënohet një sulm i tillë barbar terrorist” si ai i nisur nga Hamasi kundër Izraelit. Sulmet e 7 tetorit lanë të vdekur rreth 1 mijë 200 njerëz në Izrael dhe nxitën luftën në Gaza që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 23 mijë njerëz.
Sipas saj, pikëpamja e Gjermanisë është se “zgjidhja paqësore mund të funksionojë vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar shmang qëndrimet e njëanshme”.
Vuajtjet e palestinezëve mund të marrin fund vetëm “nëse edhe vuajtjet e izraelitëve marrin fund”, tha Baerbock, duke theksuar se kjo kërkon “një perspektivë universale”.
Hamasi konsiderohet një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara./UBTNews/