Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i kërkoi Pekinit sot t’i kërkojë “agresorit rus të ndalojë luftën” në Ukrainë, duke thënë se “asnjë vend tjetër nuk ka më shumë ndikim në Rusi se sa Kina”.
Baerbock tha se ajo kishte shprehur gjithashtu shqetësime për çështjet e të drejtave të njeriut dhe paralajmëroi për rreziqet e përshkallëzimit të tensioneve me Tajvanin.
Vizita e saj në kryeqytetin kinez vjen një javë pas asaj të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilët i kërkuan gjithashtu Pekinit të luajë një rol më të madh në zgjidhjen e krizës.
“Është mirë që Kina ka sinjalizuar përkushtimin e saj për një zgjidhje, por më duhet të them sinqerisht se pyes veten pse qëndrimi kinez deri tani nuk përfshin thirrjen ndaj agresorit Rusisë për të ndaluar luftën”, tha Baerbock.
Pas takimit, Kina njoftoi se ministri i Mbrojtjes, Li Shangfu do të vizitojë Rusinë të dielën për një vizitë katër-ditore, me ftesë të homologut të tij, Sergei Shoigu./UBTNews/