Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për sanksione të reja ndaj Iranit, pas një aksioni të dhunshëm ndaj protestave antiqeveritare të shkaktuara nga vdekja e një 22-vjeçareje, të arrestuar nga policia e moralit.
Ajo ka thënë se BE-ja do të duhet të flasë për pasojat dhe se kjo përfshin edhe sanksione kundër atyre që janë përgjegjës.
Sipas saj, përpjekja për të shtypur protestat paqësore me dhunë nuk duhet të mbetet pa përgjigje, raportojnë mediat e huaja.
“Të drejtat e grave janë matësi për gjendjen e një shoqëri. Nëse gratë nuk janë të sigurta në një vend, askush nuk është i sigurt”, shtoi ajo.
Ajo tha se ambasadori iranian ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme në Berlin.
Më herët, Irani hodhi poshtë kritikat e Bashkimit Evropian për reagimin e tij ndaj protestave në rrugë.
“Rasti i gruas së arrestuar, Mahsa Amini, ishte nën hetim, por BE-ja dhe vendet e tjera perëndimore e injoruan këtë fakt, dhe ofruan mbështetje për ngatërrestarët që po rrezikonin sigurinë e Iranit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani derisa shtoi se kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit dhe mbështetje për rebelët.
Protestuesit kanë dalë në rrugë në qytete anembanë vendit gjatë nëntë ditëve të fundit pas vdekjes së Aminit.
Autoritetet urdhëruan një ndërprerje të gjerë të internetit për të mos lejuar që protestuesit të komunikojnë me njëri-tjetrin.
Amini u ndalua nga policia dhe u shpall e vdekur në rrethana të pashpjegueshme më 16 shtator.
“Gjykatat speciale do të krijohen për të gjykuar protestuesit”, tha dje kreu i Departamentit të Drejtësisë së Teheranit, Ali Alghasi Mehr.