Turneu botëror i Bad Bunny, “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”, është mbyllur në Bruksel, duke shënuar një arritje historike për muzikën latine. Sipas Billboard, ai është bërë artisti i parë latino-amerikan që ka gjeneruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura nga turnetë koncertale, me të gjitha performancat e realizuara në gjuhën spanjolle.
Ekspertja e muzikës latine, Leila Cobo, vlerëson se ky sukses pasqyron rritjen e tregut global të koncerteve dhe popullaritetin gjithnjë e më të madh të muzikës në gjuhën spanjolle.
Sipas saj, muzika latine është segmenti me rritjen më të shpejtë në industrinë muzikore, ndërsa ndikimi i artistëve latinë po zgjerohet vazhdimisht në mbarë botën.
Edhe të dhënat e Federatës Ndërkombëtare të Industrisë Fonografike (IFPI) tregojnë se të ardhurat nga muzika e regjistruar në Amerikën Latine u rritën me 17.1% gjatë vitit 2025, duke shënuar vitin e 16-të radhazi me rritje.
Bad Bunny ka vendosur edhe më herët rekorde historike. Në vitin 2020, albumi “El Último Tour del Mundo” u bë albumi i parë në gjuhën spanjolle që arriti vendin e parë në Billboard 200, ndërsa në vitin 2022 ai u bë artisti i parë joanglishtfolës që kryesoi renditjen vjetore “Top Artists” të Billboard./A.K/
