Një grua e moshuar ukrainase duke tundur një flamur të kuq sovjetik është bërë fytyra e pazakontë e propagandës së Kremlinit pasi një video e takimit të saj me ushtarët ukrainas u bë virale. BBC ra në kontakt me të moshuarën Babushka Z, dhe tentoi ta zbulonte të vërtetën pas incidentit.
“Unë nuk mendoj se ata duhet të më lavdërojnë. Unë jam vetëm një grua fshatare. Nuk e kuptoj pse jam bërë kaq e famshme”, deklaroi ajo.
Gruaja që u bë e njohur si Babushka Z, “gjyshe” në gjuhën ruse, dhe Z-ja që i referohet simbolit të vendosur në vetura – u shokua kur BBC i tregoi se sa e famshme u bë.
“Kurrë s’e kam parë atë”, deklaroi ajo.
Në video shihet ajo duke ecur drejt dy ushtarëve ukrainas duke mbajtur një flamur të kuq sovjetik. Ushtarët thanë se kanë ardhur për t’i ndihmuar dhe për t’i ofruar ushqim. Pastaj i heqin flamurin, e hudhin në tokë dhe shkelin mbi të. Kështu e moshuara u ndje e fyer nga ta dhe ua kthej ushqimin.
“Prindërit e mi dhanë jetën për atë flamur në Luftën e Dytë Botërore”, deklaroi ajo.
Për Kremlinin, kjo ishte flori. Propaganda ruse rrallëherë është në gjendje të përqendrohet te individët dhe ata e panë këtë grua si një shembull të rrallë të një ukrainase që i vinte keq për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe i konsideronte rusët si çlirimtarë. Shumica e ukrainasve – madje edhe në rajonet rusishtfolëse – nuk e kanë mirëpritur pushtimin rus, kështu që valvitja e flamurit sovjetik u përdor si provë se veprimet kanë mbështetje nga banorët vendas.
Makina propagandistike e Kremlinit filloi të funksionojë. Brenda pak ditësh, imazhi i saj – një rikthim i një gruaje fshatare stereotipike të epokës sovjetike me shaminë e saj ortodokse, çizmet dhe fundin e trashë – filloi të shfaqej kudo, nga Moska dhe Siberia në ishullin Sakhalin në lindjen e largët.
Tani ajo është përjetësuar në murale, postkarta, skulptura, e të tjera. Këngë dhe poezi i janë kushtuar asaj. Zyrtarët ruse madje zbuluan një statujë të saj në Mariupol, qyteti ukrainas që u bombardua nga forcat ruse.
Deri më tani, askush nuk e dinte identitetin e Babushka Z. Në fakt, as nuk e dinin nëse ishte gjallë. Por ajo është e gjallë. Emri i saj është Anna Ivanovna dhe jeton në Velyka Danylivka, një fshat afër Kharkivit në verilindje të Ukrainës, ku jeton me bashkëshortin, qentë, macet dhe lepujt e saj.
69-vjeçarja u befasua kur i pa imazhet e saj. “A dukem kaq e vjetër”, pyeti ajo. “Më duket sikurse dikush i huaj po më shikon”.
Por historia e saj është shumë ndryshe nga imazhi që kanë nxjerrë mediat ruse. Ajo nuk e mbështet luftën.
“Si mund të përkrahi vdekjen e njerëzve të mi? Nipërit dhe mbesat e mia u detyruan të shkojnë në Poloni. Jetojmë në frikë dhe terror”, deklaroi ajo.
Pra, pse Anna përshëndeti ushtarët me një flamur sovjetik? Ajo thotë se rasti i saj u keqkuptua. Ajo pretendon se ngatërroi dy ushtarët ukrainas që i ofronin ushqim me ushtarët rusë.
“Unë isha e lumtur që rusët do të vinin dhe nuk do të luftonin me ne. Isha e lumtur që do të bashkoheshim sërish”, deklaroi ajo.
Anna tha se veprimi i tij nuk ka prapavijë politike. Flamuri i kuq, thotë ajo, nuk është flamuri i Bashkimit Sovjetik, jo i Rusisë, por “flamuri i dashurisë dhe lumturisë në çdo familje, në çdo qytet, në çdo republikë. Jo i gjakderdhjes. Dhe kushdo që thotë të kundërtën, është gabim”.
Anna ka frikë për sigurinë e saj. Në Ukrainë, ajo po sulmohet online sepse po shihet si pro-ruse./UBTNews/