UBT News

Babai i Thaçit në gjendje të rëndë shëndetësore, Gjykata Speciale ia refuzon kërkesën për vizitë në Kosovë

Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të vizituar babain e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Thaçit, Luka Misetiq, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se kërkesa për një lirim të përkohshëm dhe të mbikëqyrur është refuzuar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara.

Sipas Misetiqit, babai i Thaçit është rikthyer në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Avokatët e ish-presidentit kishin kërkuar që ai të lejohej të kthehej në Kosovë për një vizitë humanitare, por Prokuroria e Specializuar e kundërshtoi kërkesën dhe gjyqtarët vendosën në favor të prokurorisë.

“Babai i klientit tim Hashim Thaçi është mjaft i sëmurë dhe është kthyer në spital. Ne kishim kërkuar që Hashim Thaçi t’i jepej një lirim i shkurtër dhe i mbikëqyrur për ta vizituar për arsye humanitare. Prokuroria e Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën”, ka shkruar avokati Misetiq.

Ky vendim ka nxitur reagime në opinionin publik dhe mes mbështetësve të Thaçit, të cilët e konsiderojnë refuzimin e kësaj kërkese si një shkelje të të drejtave themelore dhe të parimeve humanitare. Megjithatë, Gjykata Speciale ka qenë e prerë në vendimin e saj, duke mos lejuar që Thaçi të kthehet qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe në Kosovë.

Hashim Thaçi, ish-president dhe një nga figurat kyçe të luftës dhe politikës kosovare, ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pavarësisht kërkesave të shumta për lirimin e tij të përkohshëm, gjykata deri më tani ka refuzuar çdo kërkesë për lirim nga paraburgim./UBTNews/

Exit mobile version