UBT News

Babai i Beyoncés: E kuptova që do të bëhej superyll që kur ishte në shkollë fillore

Mathew Knowles, babai i Beyoncé, dhe ish-menaxheri i saj, ka thënë se e ka kuptuar që vajza e tij do bëhej yll që kur ajo performoi për herë të parë në një shfaqje talentesh në shkollën fillore.

“Ndërsa po përgatitej për të performuar, Beyoncé tha: ‘Dua të nxitohem ta marr çmimin prej 100 dollarësh dhe kupën time… e di që do fitoj.’ Pastaj doli në skenë dhe u transformua në tjetër njeri. Në atë moment e kuptova që e donte me shpirt këtë gjë”, tha Knowless në një intervistë për The Times.

73 vjeçi ka qenë menaxheri i Beyoncés gjatë karrierës me “Destiny’s Child”, por edhe në hapat e parë të karrierës solo. Ai e konsideron veten si një nga menaxherët më të suksesshëm në historinë e muzikës.

“Pas 21 vjetësh si menaxher i Beyoncés, buzëqesh sa herë që shoh se edhe sot revistat e muzikës flasin për 20 këngët e saj më të mira pop, dhe 70 për qind e tyre janë nga katër albumet e para, për të cilat kam qenë unë pjesë e ekipit”, ka thënë tutje Knowles.

Ai ka thënë se ndihet krenar kur sheh sa e suksesshme ka qenë puna që ka bërë me vajzën ndër vite.

“Të dish që kam qenë pjesë e këtij suksesi, që i mësova rëndësinë e zhvillimit të markës, që 30-40 për qind e ekipit janë njerëz që i kam punësuar para 30 vjetësh… kjo më bën të ndjehem krenar. Kam ndërtuar rrugën e suksesit për Beyoncén, dhe kjo më jep një ndjesi shumë të mirë”, thotë Knowless.

Megjithatë, ai është shprehur se ndihet i nënvlerësuar dhe nuk do të njihet vetëm si “babai i Beyoncés”.

“Dua ta ndryshoj bisedën e t’i tregoj botës tërësinë e gjërave të mrekullueshme që kam bërë, sepse kam bërë shumë më tepër se Beyoncé dhe ‘Destiny’s Chilld’. Nuk flasim për disa nga artistët e tjerë me të cilët kam punuar. U bëra menaxher i tyre sepse isha i kualifikuar, jo vetëm sepse isha babai i dikujt të famshëm”, ka theksuar ai.

Knowles ka folur me shqetësim për paragjykimet racore që, sipas tij, kanë ndikuar në mënyrën si e ka trajtuar industria. Ai ka thënë gjithashtu se mendon se do të vlerësohej më shumë po të ishte i bardhë.

“Po të kisha të njëjtin sukses, por të isha me ngjyrë tjetër të lëkurës, do të kisha marrë më shumë vlerësime dhe çmime si menaxher dhe drejtues i suksesshëm”, ka thënë ai.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version