Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se kanë bërë kërkesë për takim me kryeministrin Albin Kurti.
Në një intervistë për EkonomiaOnline, Jusufi tha se pret që ky takim të ndodhë javën e ardhshme. Sipas tij, Qeveria Kurti ka premtuar 350 euro pagë për punëtorët e sektorit privat, duke shtuar se pret që që vendimi të nënshkruhet më 1 maj.
“Ne zyrtarisht kemi bërë kërkesë për takim. Unë e kuptoj që kryeministri vetëm sa ka ardhur dhe nuk do të jemi prioritet, ne po shpresojmë që javën e ardhshme do të ulemi të bisedojmë. Ne gjithherë po thirremi në atë që kryeministri i Kosovës vitin e kaluar ka premtuar që paga e punëtorëve të sektorit privat të jetë 350 euro. Andaj unë e inkurajoj kryeministrin e Kosovës që ndoshta do të jetë një ditë simbolike që kjo pagë të nënshkruhet me datën 1 maj që do të jetë edhe dita e punëtorëve, që këtyre punëtorëve të iu japë fuqi dhe vullnet për punën që janë duke bërë”, deklaroi ai.
Sipas tij, rënia e rasteve të të infektuarve jep sinjal se Kosova është duke shkuar në rrugë të mbarë. Tutje, ai tha se tani punëtorët e sektorit privat po e paguajnë faturën e atyre të cilët po luftojnë për pushtet.
“Pikërisht tash kur filluan edhe rastet të bien shifra nga 1 mijë të infektuar të bie në 400 të jep një sinjal se jemi duke shkuar në rrugë të mbarë dhe pikërisht po kjo qeveri e solli gjendjen deri tash. Tani ne po e paguajmë faturën e njerëzve të cilët luftojnë për pushtet”, tha Azemi.