Mbi 120 mijë persona kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Azemi shtoi se është qesharake për institucionet e vendit, të deklarohen se ka rënë numri i atyre që kërkojnë punë.
“Në vitin 2020 kanë qenë 120 mijë punëtorë që kanë humbur vendin e punës, 60 mijë kanë qenë në një far forme të legalizuar po themi në një far forme, dhe unë po çuditem me shifrat që po japin institucionet e ndryshme se ka ra numri i punëkërkuesve në vitin 2021 dhe është diçka qesharake, por mund të ndodhë edhe kjo sepse një pjesë e punëtorëve nuk dëshiron që të punojë me një pagë prej 250 euro dhe një pjesë e madhe kanë ikur jashtë. Ne si sindikatë kemi intervenuar për keqpërdorimet sepse në këtë keqpërdorim kanë marr pjesë pronar të kompanive bashkë me qeverinë e Kosovës dhe normal që ne çështjet i kemi shtyrë deri te gjitha organet”, tha Azemi për EO.
Azemi i ka bërë thirrje Qeverisë së vendit që mos të vazhdojë stimulimi i paarsyeshëm dhe që mjetet mos të ndahen për kompani të cilat kanë pasur përfitime të mëdha gjatë kësaj kohe.
“Ne kemi thënë qeveria ka ndarë mjete pas asnjë kriter dhënë kryesisht këto kompani që kanë marr nga 290 euro për kokë të punëtorit kryesisht këto kompani e kanë pasur qarkullimin më të madh në historinë e tyre përderisa shumë lokale kanë qenë të mbyllura dhe kanë përfituar qind për qind”, shtoi ai.
Tutje ai tha se e kanë për obligim që kërkesat e punëtorëve t’i përcjellin te institucionet përkatëse.