Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se vendimi i Qeverisë për ndarjen e shtesave nga 50 eurove për sektorin publik është si shantazh dhe dënim për sektorin privat. Azemi ka thënë se një ndarje e tillë ka ndodhur vetëm në vitet 90-ta.
Ai e ka quajtur vendim të turpshëm, pasi sipas tij punëtorët e sektorit privat kontribuojnë më shumë sesa ata në sektorin publik.
“Ne po e shohim një shantazh, një diskriminim, një dënim të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës kur gjithë parametrat janë se punëtorët e sektorit publik dyfish i kanë pagat më të mëdha, dyfish punojnë më pak, dyfish respektohet ligji dhe marrëveshja kolektive, kurse tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës dyfish, besa dikund edhe katërfish pagat tona janë më të vogla, katërfish më shumë se ata punojnë dhe realisht është një vendim i turpshëm”, tha Azemi.
Mosndarjen e shtesave edhe për punëtorët e sektorit privat, Azemi e krahason me kohën e komunizmit. Thotë se kjo gjë ka ndodhur gjatë viteve 90-ta kur Kosova ka qenë në okupim të Serbisë.
“Një vendim që vetëm njerëzit që nuk dinë me vendimet e veta çka janë duke bërë, përndryshe është një diskriminim i cili ka ndodhë vetëm në vitet 1990-1999 në kohën që ne kemi qenë të okupuar nga Serbia”, tha ai.
Kryesindikalisti e konsideron edhe si dënim për sektorin privat, me ç’rast thotë se ndihma është e nevojshme në kohën kur ka ngritje të çmimeve. Ai thotë se edhe punëtorët që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore paguhen nga buxheti i shtetit me këtë shumë.
“Sektori privat jo që po neglizhohet, po sektori privat po dënohet me të gjitha formacionet dhe njëfarë forme iu kanë sul këtyre punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, pasi që me ardhjen edhe të Qeverive të kaluara po edhe kjo Qeveri nuk e kemi lëvizjen as më të vogël edhe sepse ju e dini që janë ngritur çmimet, kostoja e jetës është rritur dhe ne sot e asaj ditë kemi një pagë minimale që punëtorët e sektorit privat paguhen me 130 dhe 170 euro, e të cilët punëtorë i paguan Qeveria e Kosovës nga buxheti i vet, rreth 2 mijë punëtorë që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore”, tha Azemi.
Sot Qeveria ka vendosur të ndajë shtesën prej 50 eurove për punëtorët e sektorit publik.