E përditësuar:
11:40
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar padi ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, pas dorëzimit të padisë tha se ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
“Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative padinë për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, nr. 02/273, të datës 31.10.2025, për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026. Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Ky propozim është ngritur në bazë të neneve 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Gashi theksoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Sipas tij, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore është jashtë kompetencave të një qeverie në detyrë.
08:30
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka njoftuar se sot, më 3 nëntor 2025, do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me aprovimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Sipas njoftimit, së bashku me padinë do të dorëzohet edhe propozimi për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë, me qëllim pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
Dorëzimi do të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, në Departamentin për Çështje Administrative, me fillim nga ora 10:30.
Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, do të mbajë një deklaratë për media, ku do të shpjegojë qëllimin e kësaj padie, e cila, sipas njoftimit, lidhet me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Qeverinë, si dhe parimet e ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.
Njoftimi i plotë:
Dorëzimi i padisë ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për anulimin e vendimit mbi projektligjin për ndarjet buxhetore 2026
Të nderuara media,
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ju fton të merrni pjesë në aktivitetin mbi dorëzimin e padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës (nr. 02/273, datë 31.10.2025), për aprovimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe së bashku me padi do të dorëzohet edhe propozimi vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
Dorëzimi i padisë do të bëhet në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative (Pallati i Drejtësisë), Hajvali, Prishtinë me fillim nga Ora 10:30.
Pjesëmarrja dhe përcjellja e këtij aktiviteti nga ana juaj do të kontribuonte në informimin e drejtë të publikut dhe transparencën për një çështje me interes të lartë publik./S.K/EO/
