Më shumë se 400,000 ukrainas janë zhvendosur me forcë në Rusi që nga fillimi i luftës, tha Avokatja e Popullit në Ukrainë për Euronews.
Lyudmila Denisova, e cila ka përgjegjësinë për monitorimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut në parlamentin e Ukrainës, tha se vendi i saj po mbledh prova për krimet e dyshuara ruse të luftës.
Ajo ishte në Bruksel për të diskutuar mizoritë që po ndodhin në vendin e saj.
“Qytetarët tanë u deportuan nga territori ynë në territorin e tyre”, tha ajo. “Ata shkuan kundër vullnetit të tyre dhe u dërguan me forcë së pari në [një] kamp filtrimi në rajonin e Donetsk. Pas kësaj ata u dërguan në Rusi me autobus. Më pas ata u dërguan me tren në vende të ndryshme, duke përfshirë rajone depresive të federatës ruse, si Sakhalin”.
Denisova tha se në më shumë se një muaj luftë, nuk ka pasur asnjë korridor humanitar të zbatueshëm.
Ajo akuzoi gjithashtu Rusinë për vjedhjen e uniformave të ushtarëve ukrainas dhe përdorimin e tyre për të kryer krime, si dhe tha se ajo që po ndodhë në Mariupol është gjenocidale.
“Situata në Mairupol është e vështirë dhe nuk po ndryshon. Shumica e ndërtesave janë shkatërruar nga bombat dhe granatimet. Më shumë se 20,000 banorë janë vrarë”, tha Denisova.
Koordinatori i OKB-së për Ukrainën e ka përshkruar situatën në Mariupol si “ferr”, ku civilët janë nën kërcënim të vazhdueshëm të dhunës dhe nuk kanë akses në ushqim apo ujë.
Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se bombardimet do të vazhdojnë derisa Mariupoli të dorëzohet./UBTNews/