UBT News

Avokati Selimaj: Edhe pa paraburgimin mund te arrihen rezultatet hetimore

Avokati Meshari Selimaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të mbrohen në liri të arrestuarit në rastin e manipulimit të votave, është një tregues se edhe pa paraburgim mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal.

“E pata konsideruar si masë tejet ekstreme atë të paraburgimit në rastin e manipulimeve të pretenduara me zgjedhje. Vendim i drejtë, i ligjshëm e parimor ky i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në mesin e tyre ka edhe persona të rinj në moshë të lindur në vitin 2005 apo 2007,  madje edhe për më keq janë femra një pjesë e mirë e tyre. Ju mungon edhe eksperienca jetësore për ta përballuar një masë kaq të rëndë siç është paraburgimi, e cila si masë nuk mundet dhe s’guxon ta arrijë qëllimin e dënimit. Edhe pa paraburgimin mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal, me masa të tjera e pa paraburgim”, ka shkruar Selimaj në rrjetin e tij social “facebook”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton të hënën se ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. /Ekonomia Online/

Exit mobile version