Avokati Arianit Koci po proteston sërish para hyrjes kryesore të objektit të Kuvendit të Kosovës. Ai kësaj radhe ka çuar disa gomarë për të shprehur kundërshtimin e tij për bllokadën institucionale.
Ai tha se këta gomarë “simbolizojnë kokëfortësinë e kryeneçësinë”.
“Të njëjtit po mendojnë që ne jemi gomarë, sidoqoftë ne nuk ndalemi duke protestuar. Protesta do të jetë e qetë, unë e kam respektin maksimal për policinë, e kam lajmëruar protestën, ky është miku im është adhurues i kafshëve. Edhe një herë po i kërkoj falje gomarëve që prej Istogut është dashur me i sjell edhe me i detyruar me u kfjell pak deputetët. Këta [gomarët] e simbolizojnë kokëfortësinë, kryeneçësinë. A ka më keq se 41 herë me u mbledh dhe të mos mundet të formohet parlamenti, nuk ka”, deklaroi ai.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Koci tha e ka përcaktuar se kush është “fajtori për këtë ngërç politik”
“Unë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e kam përcaktuar kush është fajtor. Fajtor është Albin Kurti. E ka krijuar në opinion publik ajo që në lojën politike dhe spiunazhi quhet loja e pasqyrave të dyfishta ku kurrkush askujt si beson edhe e vërteta është vetëm ajo çfarë thotë lideri. Sidoqoftë nuk po dua të jem faktor që i thellon ndasitë por po dua të jem faktor i unitetit. E kam një vërejtje të madhe edhe për partinë e dytë, të tretë, të katërt, PDK-në, LDK, Aleancën edhe Nismën. Po sillen si me qenë qyqarë, po duket thuajse se po iu konvenon kjo me krejt atë fuqi që e kanë në elektorat mos me marrë një njeri me nxjerrë në protestë kjo është e pabesueshme. Thjesht, si duket edhe ata po i frikësohen zgjedhjeve të reja, se dikush mund ta humb parlamentin në tërësi”, shtoi ai.
Protesta po mbahet pak para vazhdimit të seancës konstituive, që është përpjekja e dyzet e një për ta bërë Kuvendin.