Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Hagës ka kërkuar që prokuroria ta përpilojë një listë paraprake të dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Luka Mishetiq, i cili është avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, propozoi që prokuroria të sjell një listë brenda datës 2 gusht.
“Për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë deklaratë dhe mendoj se ata do të dëshmojnë. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë. Brenda datës 2 gusht që të na e sjellin një listë paraprake të dëshmitarëve. Në mënyrë që ta dijmë se cilët dëshmitarët do të vijnë në sallë që të dëshmojnë”.
Me këtë u pajtua edhe David Young, avokat i Rexhep Selimit, si dhe mbrojtësit e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, Nick Kaufman.
“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i Z. Thaçi”.
Ndërsa njëra nga prokurorët nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kërkesa e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së është jashtë kontekstit.
“Kjo kërkesë nga mbrojtja është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”.
“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është element që duket se mbrojtja e ka marrë në një çështje të paraqitur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”.
Ajo shtoi se Prokuroria do t’i nxjerrë materialet e dëshmitarëve të cilat do t’i përdor në gjykim.
Në kundërpërgjigjje, avokati Luka Mishetiq tha se nuk e di pse prokuroria e ka të vështirë ta bëj një gjë të tillë.
“Nuk shoh asnjë arsye se pse e kanë kaq të vështirë Prokuroria ta bëjë këtë”.
“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por ato nuk na tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na japin një arsye të fortë se pse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”.