UBT News

Avokati i Popullit pranon ankesën e komunave për Projektligjin për Inspektim Administrativ

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka konsideruar të pranueshme ankesën e Asociacionit të Komunave lidhur me Projektligjin për Inspektimin Administrativ, ka bërë të ditur AKK-ja.

“Ankesa është paraqitur më 24 janar 2022, lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike në Projektligjin për Inspektimin Administrativ. Prandaj, në pajtim nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara”, thuhet në njoftim.

Projektligji po konsiderohet nismë për “disiplinim” të administratës publike. Me draftin e Qeverisë, me ligjin e ri do t’i lejohet Inspektoratit administrativ që të hyjë në zyrë apo çfarëdo objekti dhe të ketë qasje në pajisje të caktuara pa paralajmërim, pa leje të subjektit të inspektuar dhe pa marrë parasysh oraret e punës. Inspektori do të ketë të drejtë të hyjë në zyrë me gjithë dëshirën e subjektit të inspektuar edhe me asistencë të Policisë në rast se refuzohet. Më tej në ligj thuhet se gjatë inspektimit, inspektori ka të drejtë të inspektojë dokumentacionin elektronik e fizik, të fotokopjojë dokumente, të kopjojë audio-video incizime, të fotografojë persona, lokale dhe ndërtesa për qëllime të inspektimit. Për paligjshmëritë eventuale, Inspektorati mund të shqiptojë gjoba nga 500 deri në 3000 euro.

Kryetarët e komunave janë ankuar se s’janë konsultuar fare për këtë ligj. Ata e kanë konsideruar cenim të demokracisë lokale, teksa kanë dalë kundër procedimit të mëtutjeshëm të këtij projektligji, që sipas tyre, ka shkelje kushtetuese.

Exit mobile version