UBT News

Avokati i Popullit mbështet martesat mes gjinisë së njëjtë, ka një vërejtje për Kodin Civil

Avokati i Popullit në opinionin e publikuar pasditen e së premtes për çështjen e martesave të gjinisë së njëjtë, ka mbështetur këtë të fundit duke thënë se është e drejtë e garantuar kushtetuese.

Opinioni është dërguar nëpërmjet një komunikate për media, i cili parasheh se “privimi i personave me sekse të njëjta nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual”.

Mirëpo, nga Institucioni i Avokatit të Popullit, kanë kërkuar që në kuadër të Kodit Civil të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave me gjini të njëjtë.

“Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se formulimi aktual i Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, pa e definuar qartë se çfarë paraqet një bashkësi e regjistruar civile dhe duke përcaktuar se kushtet dhe procedura për njohjen e këtyre bashkësive të rregullohen me ligj të veçantë, nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë”, thuhet në komunikatë.

Para dy muajsh nuk pati kaluar Projektkodi Civil që parasheh bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë, ku 29 nga 61 deputetët pjesëmarrës e kundërshtuan atë.

Madje, kundër këtij Kodi patën dalë edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Një prej tyre ishte deputetja Labinotë Demi-Murtezi, e cila tha se ishte kundër lejimit të bashkimeve të së njëjtës gjini.

Po ashtu, deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ishte kundër lejimit të regjistrimit të bashkimeve të së njëjtës gjini, duke thënë se kjo po bëhet vetëm për shkak të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, kjo është në kundërshtim me traditën dhe kulturën e familjeve kosovare.

Lidhur me këto deklarime dhe kundërshtimin e Projektkodit Civil patën reaguar ambasada e SHBA-së dhe shtetet e QUINT-it, duke i kërkuar Kuvendit ta mbështesë këtë nismë.

Exit mobile version